Panik në Greqi, tërmet i fortë 6.3 Rihter godet Kretën, pamjet e para
Një tërmet i fortë me magnitudë 6.3 Rihter tronditi ishullin e Kretës, sot në orën 12.24, duke shkaktuar panik te banorët, të cilët dolën në rrugë, parqe dhe sheshe.

Sipas Institutit Gjeodinamik, epiqendra e tërmetit ndodhet 23 km në lindje të Zakros në prefekturën e Lassithi.
Thellësia e tërmetit vlerësohet të jetë 8.2 kilometra.

Sipas kryebashkiakut të Sitia, George Zervakis, dridhja e fortë sizmike shkaktoi dëme.

Deri më tani nuk janë raportuar të plagosur, apo viktima për pos dëmeve materiale.
Kisha e Agios Nikolaos, në Xirokampos, Sitia nuk i rezistoi lëkundjeve të forta të tërmetit.

Sipas presidentit të OASP, Efthymi Lekka , tërmeti i sotëm nuk ka lidhje me tërmetin që ndidgi 1 javë më parë në Arkalochori.
Profesori shpjegoi se ky është një tërmet sipërfaqësor dhe i cekët, i cili u ndje në një masë të madhe në Kretë, Dodekanez dhe në rajonin më të gjerë. Sipas Z. Lekkas, epiqendra e tërmetit të sotëm është 80 kilometra larg nga ajo e Arkalochori dhe vjen nga një qendër tjetër.
