Elezi: Sipas bilancit, ne eksportojmë energji, pse KESH shet lirë në të njëjtën kohë kur OSHEE blen shtrenjtë?

Në “Ora e Betit” nga Beti Njuma, Eduart Elezi, ish-drejtori juridik i ERE-së u shpreh se kjo nuk është krizë energjike, po kolaps i sektorit të energjisë elektrike.

Sipas tij, bilanci i asaj që ka konsumuar qytetari shqiptar dhe bilancit vendas, i bie që Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë.

Ai shtoi se ku janë paratë për këtë shitje, duke pyetur pse KESH shet në të njëjtën kohë që OSHEE blen energji.

Elezi: Kjo nuk është krizë energjike, po kolaps i sektorit të energjisë elektrike. Kemi një prodhim kampion ndër të gjitha vitet të energjisë nga KESH-i. Ajo 7.2 terravat nuk është bashkë me HEC-et privatet, por vetëm nga KESH. Bilanci i asaj që ka konsumuar qytetari shqiptar dhe bilancit vendas, i bie që Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë.

Ku janë paratë, sa është shitur dhe pse u shit? Pse shitet me 20 kur tregu është me 120, pse KESH shet ndërsa OSHEE blen në të njëjtën kohë? Kjo energji, po të kapësh bilancin, nuk është blerë energji de fakto nga jashtë. Është po kjo energji që prodhohet në vend, nga brokerat shkon te OSHEE. Kjo është keqmenaxhim.