Ndërron jetë në moshën 71-vjeçare ish- zëvendës ministri Ahmet Ceni
Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare ish-zv Ministri Ahmet Ceni. Ai ka qenë për dy mandate në postin e zv. Ministrit të Transportit dhe më pas i Punës dhe i Çështjeve Sociale. Gjithashtu ka qenë profesor në fakultetin e Ekonomisë. Lajmi është bërë i ditur në rrjete sociale mga miqtë e tij.
“U prehsh në paqe miku im, profesori i vlerave, njeriu i mirë Prof. Ahmet Ceni Fjalët janë të tepërta. Jetojmë në një botë mizore,” shkruan Memaj në postim e tij.
Profesor Ahmet Ceni pasi përfundoi studimet në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1977, u bë pjesë e këtij institucioni fillimisht si pedagog e më pas si Përgjegjës i Departamentit të Organizimit të Punës. Në vitet 1992-1995 ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Departamentit të Menaxhimit.
Në vitin 1998 deri në vitin 2000 ushtroi detyrën e Zëvendësministrit të Transportit dhe nga viti 2001 deri në vitin 2005 atë të Zëvendësministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, pa u shkëputur asnjëherë nga mësimdhënia. Në vitin 2019 u bë pjesë e UMT në pozicionin e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë dhe prej vitit 2021 u emërua Rektor i Universitetit Metropolitan Tirana.
Me një karrierë të gjatë akademike, ka shkruar mbi njëqind artikuj dhe punime me karakter shkencor dhe aplikativ kryesisht në fushën e tregut të punës, të punësimit, të organizimit, të menaxhimit si edhe tekste mësimore dhe akademike.
