Noka: Basha peng i Ramës, po më lufton duke më përjashtuar dhe përçarë demokratët
Deputeti demokrat Flamur Noka ka reaguar lidhur me deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha ditën e sotme.
Noka është shprehur se Basha thotë me gojë se qëllimi është rrëzimi i Ramës, por ai mbretëron i qetë për 12 vite.
Ai shton se Basha si peng i Ramës po e lufton Nokën duke përjashtuar dhe përçarë demokratët.
Noka: Me gojë e thotë që qëllimi është rrëzimi i Ramës, ndërkohë ky i fundit vazhdon të mbretërojë i qetë në pushtet për 12 vjet. Me vepra pengu i tij po më lufton duke më përjashtuar dhe përçarë demokratët.
Basha më herët shpjegoi për gazetarët vendimin për shkarkimin e Flamur Nokës si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe paralajmërimin për përjashtimin e tij nga grupi i PD.
Lulzim Basha: Nokës i kam komunikuar shkarkimin nga detyra si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, nuk e kam përjashtuar, por e kam paralajmëruar. Nuk mundet që PD që ka kundërshtar dhe armik armikun e shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij, të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë kryesore si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi në të gjithë format dhe mënyrat.
