Karburantet rrisin çmimin e biletave në Korçë

Rritja e çmimit të karburantit, ka sjellë rritje të çmimit të biletave për sa i përket mjeteve të transportit publik në Qarkun e Korçës.

Momentalisht linja Koçë-Ersekë dhe Korçë- Bilisht, ka rritur biletën me 50 lekë të reja për çdo udhëtar.

Udhëtarët e Linjës Ersekë-Korçë dhe anasjelltas, kanë paguar këtë të martë 250 lekë, nga 200 që ishte më herët.

"Ka qenë 200 lekë të reja, tani është bërë 250."

Por drejtuesit e mjeteve thonë se në kushtet e rritjes së karburantit, rritja e çmimeve është e pashmangshme.

"Varet sa do shkojë karburanti. Po të rritet çmimi i karburantit, sigurisht që do rritet dhe bileta."

Qytetarët shprehen kundër këtyre rritjeve të çmimeve por thonë se duhet të udhëtojnë ndaj do ta paguajnë.

"Është pak si shumë, por do udhëtojmë sepse kemi nevojë. Me 100 mijë lekë pension çfarë të bëj më parë. Tani filluan dhe çmimet të rriten, tani do vdesim fare."

Thonë se krahas rritjes së këtyre çmimeve që kanë prekur drejtpërdrejtë ekonomitë familjare, shteti duhet të rrisë edhe rrogat e pensionet.

"Ekonomia është për tokë, unë me pension me 170 mijë lekë  të vjetra nuk e përballoj dot."

Ende nuk dihet nëse linjat tjera ndërqytetase do të rrisin çmimin e biletave ndërsa janë paralajmëruar zyrtarisht se çmimet për shumë produkte do të rriten.