Lufta për "Becchettin" e vettingun, të enjten debati në Kuvend

Partia Socialiste do të pranojë të ngrihen vetëm komisionet parlamentare për hetimin e incineratorëve dhe zgjedhjet e 25 prillit, por do të votojë kundër hetimit të çështjes "Becchetti".  Taulant Balla shprehet se ky vendim do të zbatohet të enjten. Ndërkaq kreu i parlamentarëve socialist fton PD të mos bëjë politik me vettingun duke i kërkuar votën për të shtyrë afatin. Në përgjigje të tij Alfred Rushaj shprehet se selia blu nuk ka asnjë kërkesë për reformën në drejtësi, ndërsa rrëzimi i çështjes "Becchetti' sipas tij bëhet për të mbrojtur Ramën.

Në seancën e së enjtes PS dhe PD do ti rikthehen debatit për ngritjen ose jo të Komisionit Hetimor të çështjes "Becchetti"me të cilin shqipëria humbi 120 milionë euro në arbitrazh.

Në Konferencën e Kryetarëve socialistët kanë paraqitur një shkresë të Avokates së Shtetit ku thuhet se dosja është ende në proces, ndaj dhe hetimi parlamentar nuk mund të vazhdojë.

"Të arrijmë që të kemi brenda një kohe të shkurtër këtë amendament gati dhe pastaj të fillojë procedura parlamentare. Një amendament kushtetues kërkon minimalisht 45 ditë por mund të shkojë edhe 60 ditë.  Të mos e politizojmë këtë çështje, ta mbajmë më shumë si çështje teknike për vijueshmërinë e reformës historike, atë në sistemin e drejtësisë. Sa i përket çështjeve të tjera ne e rishprehim gatishmërinë për të qenë në mënyrë vijuese të hapur për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështjeje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë", tha Balla.  

Por për PD refuzimi ka të bëjë me frikën dhe mazhoranca kërkon të mbrojë kryeministrin Rama.

"Justifikimi për këtë është një letër që paska sjellë Avokati i Shtetit dhe socialistët thonë se ngritja e komisionit hetimor "Becchetti" që do të hetonte se pse shqiptarët do të paguajnë thuajse 120 mln euro është kundër interesit të Shqipërisë. Në fakt mosngritja e këtij komisioni është kundër interesit të Edi Ramës. Është e turpshme që PS barazon interesin e shqiptarëve me ineresin e Edi Ramës dhe disa nëpunësve të tij. Kjo në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të qarta të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë krijuar jurisprudencë të qartë për çdo aspekt të këtij komisioni. Natyrisht ne nuk do ta pranojmë këtë pjesë, do të bëjmë çfarëdo që ne kemi në dorë, çfarëdo që ne kemi mundësi që ky komision të ngrihet dhe shqiptarët ta dinë se pse do të paguajnë 120 mln euro".

Megjithatë socialistët do të votojnë pro komisionit që do të hetojë zgjedhjet e 25 prillit dhe inceneratorët.

Ndërsa Balla kërkoi nga PD të mos bëjë politikë me vettingun edhe pse kreu i parlamentarëve demokrat Rushaj shprehet se nuk ka një kërkesë për shtyrjen e mandatit.

"Nuk kemi marrë deri tani propozim nga askush për vettingun. Është një çështje që nuk është diskutuar me asnjë partner dhe me asnjë forum deri tani. Ne do të kemi një qëndrimn atëherë kur të kemi propozim konkret, padyshim do të jetë pjesë e një strategjie më të madhe. Me rëndësi për ne është që mbi të gjjtha të vihen interesat e shqiptarëve dhe jo nevojat që ka PS apo Edi Rama.

Nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga askush deri tani. Jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje shumë më të rëndësishme si ndryshimi i kodit zgjedhor dhe ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me interesin e shqiptarëve por jo për çështje që i takojnë Ramës. Strategjitë sesi do të negociojmë do të paraqiten në momentin konkret kur të kemi diçka konkrete".

Situata me energjinë elektrike po ashtu pritet të jetë pjesë e debatit të së enjtes.

Pavarësisht përplasjeve të brendshme në PD, duket se akuzat dhe përplasjet e forta nuk do të mungojnë.