Balla: Komisioni i PD-së për Becchetti-n bie ndesh me Kushtetutën, të mbrojmë interesat e Shqipërisë
Partia socialiste ka vendosur të mos pranojë kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me çështjen Becchetti. Taulant balla tha se kjo nismë tani, rrezikon proceset e shtetit ndaj biznesmenit italian në gjykatat ndërkombëtare. Ndërkohë mazhoranca la të hapur mundësinë e ngritjes së komisioneve për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe inceneratorëve, por kërkoi respektimin e prezumimit të pafajësisë.
Grupi parlamentar i PS ka vendosur në mbledhjen e së hënës të votojë kundër kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen Becchetti. Taulant balla tha se kërkesa e opozitës në këtë moment rrezikon të dëmtojë përballjen e Shqipërisë me biznesmenin në gjykatat ndërkombëtare.
Balla: Lidhur me qëndrimin tonë për ngritjen e komisioneve hetimore. Njëra prej kërkesave bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi bie ndesh me Kushtetutën dhe interesin e Shqipërisë pasi është në procese gjyqësore. Interesi më i madh është interesi i Shqipërisë. Shqipëria duhet të vazhdojë të mbrojë interesat e saj dhe ky ka qenë një sugjerim i Avokatit të Shtetit, i cili kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik dhe më pas mund të ngremë edhe këtë komision hetimor.
Nga ana tjetër kreu i grupit të PS-së, u shpreh se mazhoranca është e hapur për dy kërkesat tjera të opozitës për komisione hetimore në lidhje me inceneratorët dhe zgjedhjet, por duke prezumuar pafajësinë dhe duke riformuluar termat.
Balla: PD vjen me disa pretendime. Do të shqyrtojmë pretendimet që ata kanë, por duhet të përvëlojë parimi i pafajësisë. E rëndësishme është që për PD-në, të pranohet pa kushte pretendimet që ata kanë. Ky është një standard që ne kemi vendosur. Ne 12 vite më parë kemi kërkuar të njëjtën gjë, por nuk u ngrit, ndërsa tashmë ne i kemi pranuar kushtet e PD-së sikurse i kanë kërkuar ata.
Balla paralajmëroi edhe rrëzimin e dy dekreteve të presidentit të republikës për rrëzimin e rishikimeve të buxhetit të këtij viti nga mazhoranca.
