Polonia sfidon BE-në/ Rrëzon parimin se ligji europian ka përparësi mbi kombëtarin
Polonia po e thellon debatin ligjor me Bashkimin Europian dhe do të vijojë t'i sfidojë traktatet me Brukselin.
Varshava e kundërshton parimin se për çështje uniformiteti, korniza ligjore e BE-së ka përparësi mbi legjislacionin polak.
Kështu e gjykon edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë, por të enjten Kushtetuesja e Polonisë e kundërshtoi.
"Institucionet e Bashkimit Europian veprojnë pëtej kompetencave që u njeh Republika e Polonisë në lidhje me traktatet," njoftoi Gjykata Kushtetuese e Polonisë.
Komisioni Europian reagoi duke e cilësuar vendimin vërtet shqetësues.
Rasti iu paraqit gjykatës polake për interpretim nga kryeministri Mateush Moravjecki pasi Gjykata Europiane e Drejtësisë gjykoi më herët se sistemi i përzgjedhjes së gjyqtarëve që qeveria e tij kishte propozuar në vitin 2018, shkelte ligjet e Bashkimit Europian.
Kjo është hera e parë që një shtet anëtar vë në dyshim traktatet e BE-së, dhe rrezikon të merret si precedent për një sërë mosmarrëveshjesh mes Varshavës e Brukselit në fushat si liria e medies dhe të drejtat e njeriut./Ora News/


