Franca rikthen ambasadorin në Australi
Ministri i Jashtëm francez ka bërë me dije se Franca do ta rikthejë ambasadorin e saj në Australi. Për kreun e diplomacisë franceze do të ketë një ripërcaktimin të marrëdhënieve dypalëshe pas tërheqjes së Australisë nga pakti që kishte me Francën në fushën e mbrojtjes.
Tërheqja e Australisë nga marrëveshja me Francën në favor të një lidhjeje me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara solli reagim të fortë nga pala francize që akuzoi aleatët e saj se e kanë goditur me thikë pas shpine.
"I kam kërkuar ambasadorit tonë të kthehet në Canberra me dy misione - të ndihmojë në ripërcaktimin e kushteve të marrëdhënies sonë me Australinë në të ardhmen dhe të mbrojë interesat tona në zbatimin konkret të vendimit Australian për t'i dhënë fund programit të nëndetëseve ”, tha ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian para ligjvënësve francezë.
Partneriteti mes Australisë dhe Francës, ishte i rëndësishëm për këta të fundit sepse e cilësonte si gur themeli të politikës së saj për Indo-Paqësorin. Francezët thonë se Canberra nuk tregoi se kishte ndërmend që ta ndryshonte marrëveshjen ushtarake, dhe kjo ka sjellë tensionim të marrëdhënieve mes aleatëve.
Le Drian tha se Parisi i ka rishikuar plotësisht marrëdhëniet e tij dypalëshe me Australinë, duke qenë se marrëveshja e nëndetëseve ishte pjesë e një strategjie më të gjerë. "Fillimi nga e para në marrëdhëniet tona dypalëshe nuk do të ketë ndonjë ndikim në vendosmërinë tonë për të qëndruar të angazhuar në Paqësor," tha ai.
Australia zgjodhi që të bënte një kontratë miliarda dollarëshe për nëndetëset me energji bërthamore me britanikët dhe amerikanët. Më herët, kishte një kontratë me Francën të cilën e prishi. Kjo solli edhe revoltim nga francezët që tërhoqën ambasadorin e tyre për disa javë edhe nga SHBA-ja.



