Shkon të rregullojë rrjetin elektrik, inxhinieri zbulon 'shtëpinë e barit' në Britani, në pranga 20-vjeçari shqiptar

Një inxhinier ka zbuluar një fermë kanabisi në Coventry, në Britani, teksa ka shkuar aty që të rregullonte rrjetin elektrik. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë, pasi ka zbuluar që banesa përdorej si fabrikë për prodhimin e kanabisit.

Policia shkoi të kontrollonte shtëpinë dhe zbuloi një 20-vjeçar shqiptar që fshihej në banjën e shtëpisë në Allerton Close, Stoke, Coventry .

Eduart Shuli pa adresë fikse, u burgos për 26 muaj pasi u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit.

Prokurorja Danae Larham tha se më 12 gusht policia mori një telefonatë nga një elektricist i Western Power i cili kishte vënë re aktivitet të dyshimtë në një shtëpi në Allerton Close.

Kur oficerët shkuan në pjesën e pasme të pronës ata vunë re një erë të fortë kanabisi, dhe hynë brenda për kontroll.  Në dy dhoma gjumi dhe papafingo kishte gjithsej 124 bimë kanabis të cilat, nëse do të hidheshin në treg do kapnin një vlerën më shumë se 100,000 paund. Kur u mor në pyetje ai tha se një miku i tij e kishte marrë për të punuar si kopshtar për rritjen e kanabisit.

Ai tha se i ishte thënë se do të bënte para të mjaftueshme brenda pak muajsh dhe do të kthehej sërish në Shqipëri. Madje shoku i tij i kishte paguar edhe rrugën prej 5000 paundësh. Shuli insistoi se ai ishte vetëm punëtor dhe jo pronari, por ai u dënua në përfundim pasi sipas gjykatës kishte rol domethënës./OraNews/