Video/ Kishte ndërtuar “bunker” në dhomën e gjumit, arrestohet bosi i “Ndranghetas”, sekuestrohen mijëra euro
Karabinierët në Catanzaro të Italisë kanë arrestuar Cosimo Damiano Gallace, 60 vjeç, i shpallur në kërkim sepse ishte dënuar me 14 vite burg si pjesë e organizatës kriminale “Ndraghetta”. Ai ishte fshehur në një bunker të ndërtuar pas murit të dhomës së gjumit në një apartament.
Operacioni
Karabinierët ndërhynë kur u siguruan që Cosimo Damiano Gallace ishte pikërisht atje. Hetuesit gjithashtu gjetën gruan 34-vjeçare dhe vajzën 4-vjeçare në shtëpi. Fillimisht, gruaja raportoi se burri nuk ishte me të, ndërsa karabinierët vijuan kontrollin dhe gjetën 60-vjeçarin të fshehur brenda bunkerit nëntokësor.
Gallace u identifikua dhe u kap vetëm pas një kërkimi të gjatë dhe të përpiktë, i cili çoi në zbulimin e qasjes sekrete në bunker të fshehur nga një mur i rremë i vendosur në dhomë.
Çfarë u gjet
Gjatë kontrollit, karabinierët sekuestruan një valixhe që përmbante rreth 35 mijë euro, një tabletë, 9 telefona celularë, 2 prej të cilëve u dëmtuan nga 60-vjeçari para se të kapej nga policia, karta sim të ndryshme të paaktivizuara dhe hard disku i sistemit të mbikëqyrjes me monitor pranë televizorit në dhomën e ngrënies, të cilin e përdorte për të monitoruar zonën jashtë shtëpisë 24 orë në ditë.
Nënkolonel Roberto Di Costanzo shpjegoi dinamikën e operacionit.
“I arratisuri fshihej në një zgavër të krijuar në një mur, dera e të cilit u hap duke përdorur një çelës rrotullues në një varëse rrobash pranë pasqyrës. Gallace është shumë i rëndësishmë dhe me ndikim në panoramën e 'Ndrangheta' dhe po vepron gjithashtu në Anzio, Nettuno dhe qytete të tjera në Italinë qendrore dhe veriore. Kapja e regjentit është thelbësore për të zvogëluar forcën e saj në territor" përfundoi oficer i karabinierëve.
