Bllokohet ligji për abortet në Teksas
Një gjykatë në Teksas pezulloi përkohësisht ligjin që ndalon kryerjen e aborteve nga nënat pas 6 javëve.
"Ligji Rrahja e Zemrës" pritet të gjykohet edhe në Gjykatën e Lartë amerikane por gjyqtari i qytetit Ostin, Robert Pitman, tha të mërkurën se nuk mund të mbajë në fuqi një ligj që shkel një të drejtë të rëndësishme të grave, si ajo e abortit.
Departamenti i Drejtësisë po ashtu është shprehur se ai shkel kushtetutën.
"Ky është hap i rëndësishëm në luftën për lirinë për të riprodhuar, por lufta për të pasur qasje në abort në Teksas ende nuk ka mbaruar," deklaroi pas vendimit të gjykatës një nga organizatat që mbron të drejtën e grave për abort.
Kjo e drejtë i njihet grave amerikane që nga viti 1973 por shteti i Teksasit vendosi një muaj më parë ta ndalojë praktikën për gratë shtatzëna mbi 6 javë, pasi në këtë periudhë fillon të rrahë zemra e fetusit në bark dhe konsiderohet vrasje që të ndërhysh duke ua prerë jetën.
Në muajin dhjetor, Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet ligjore për një ligj të ngjashëm në shtetin e Misisipit, i cili i ndalon abortet pas 15 javëve shtatzëni.
Misisipi ka kërkuar që të anulohet vendimi historik i 1973-it.
50% e të gjitha grave amerikane që zgjedhin të abortojnë janë nën 25 vjeç, dhe gratë me ngjyrë janë rreth 5 herë më të prira për ta ndërprerë shtatzëninë e tyre.

