Trafiku bllokon për 3 orë Tiranën
Trafiku i rënduar paralizoi Tiranën për më shumë se tri orë mëngjesin e të enjtes. Radhë të gjata automjetesh u krijuan në të gjitha segmentet kryesore por edhe ato dytësore ndikuar edhe moti me reshje shiu. Qytetarët thonë se kryeqyteti është në kaos total sa i përket qarkullimit, jo vetëm në një aks të veçantë por në gjithë segmentet kryesore, çka kërkon më shumë punë dhe një menaxhim të ri.
E enjta e 7 tetorit e gjeti Tiranën të bllokuar nga trafiku. I ndihmuar dhe nga reshjet e shiut, u krijua një situate kaotike nga radhët e gjata.
Segmentet kryesore si dhe ato dytësore morën këtë pamje, ndërsa ata që ishin nisur për në shkollë ose në punë, u përballën me vonesa.
Në shumë akse nuk pati efektiva policie, por edhe aty ku rrugorët ishin prezent qarkullimi nuk u lehtësua pasi nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 10 lëvizja ishte milimetrike.
Rruga 'Ibrahim Rugova', 'Rruga e Kavajës', rruga 'Dritan Hoxha', zona e 'Astirit', '21 Dhjetori',kryqëzimi pranë QSUT e akse të tjera kishin ngarkesë të automjeteve.
Drejtuesit e mjeteve e shprehën revoltën dhe stresin nga kjo situatë në këtë formë.
Shoferët e konsiderojnë shqetësuese situatën, pasi në Tiranë nuk po bllokohen akse të veçanta por i gjithë trafiku po paralizohet.
"2 orë e gjysmë në trafik."
Rritja e çmimit të karburantit sipas qytetarëve i shton kostot e shpenzimeve në trafik.
"Kosto e madhe, duhet të jetë akoma më i ulët karburanti."
Qytetarët shpjegojnë se pothuajse çdo ditë përballen me trafik të rënduar, çka e bën të nevojshme një skemë të re menaxhimi dhe më shumë punë për administrtimin e hapësirave që shpesh zihen nga ndërtimet apo parkimet e padrejta.

