Fëmijët autikë mbeten pa mësim, prindërit peticion për rinovimin e kontratave të mësuesve mbështetës

Prindërit e fëmijëve autikë ndeshen me sfida të përditshme, por pamundësia e arsimimit duke se ua ka shtuar shqetësimet edhe më shumë.

Valbona Haliti është mamaja e Silvit, 12 vjeç i cili mbart këtë sindromë.

Me duar të shtrënguara fort me djalin ajo shkon çdo ditë vetë në shkollë për ta shoqëruar të birin ndërkohë që shkollat kanë mungesë të mësuesve mbështetës.

"Çdo ditë e detyruar që të shkoj në shkollë, madje i kam shkuar dhe në kopsht. Për mua është shumë e lodhshme, por unë e përjashtoj këtë fakt sepse kam hallin e fëmijës," thotë ajo.

Silvit i mungon mësuesja mbështetëse e vitit të kaluar. Teksa e sheh në foto nga reagimi i tij plot dashuri ai puth e ekranin e telefonit.

"Sepse djali im e shikon në fotografi mësuesen mbështetëse dhe e puth në telefon," shtoi mamaja.

Të tjerë kanë zgjedhur një tjetër mënyrë të përkohshme shkollimi.

"U detyrova që ta zhvendos nga shkolla publike, ta çoj në arsim special. Është shtesë e peripecive që ata kanë. Ishte shumë e vështirë shkëputja sepse e donte pjesën e qëndrimit me fëmijët, pavarësisht se ai nuk jep, nuk flet."

Prindërit thonë se kjo kategori fëmijësh nuk u përmendën kurrë nga ministrja e Arsimit Evis Kushi në hapje të këtij viti shkollor, duke u lënë krejtësisht jashtë vëmendjes.

"Kjo është një dhimbje që përsëritet çdo fillim viti, është një dhimbje që askush nuk e sheh sepse ne kemi plot nëna që janë shumë të forta dhe nuk e transmetojnë atë."

"Mbështetje gjejmë te njëra-tjetra neve nënat, por tani nga shteti ne presim shumë."

Ata po firmosin një peticion me të cilin kërkojnë zgjidhjen e problematikës.

"Mbledhje firmash dhe online se  e kemi hedhur në faqen "Autizmi flet" për të votuar edhe prindërit të cilët janë nëpër rrethe dhe nuk kanë mundësi të vijnë në Tiranë. Kemi dhe firmat që po mblidhen fizikisht."

"I bëj thirrje shtetit të lutem bëhuni të arsyeshëm të na jepni atë që na takon."

Janë rreth 5000 fëmijë të spektrit autikë të cilët kanë problematika përjashtimin e tyre nga sistemi arsimor pikërisht nga mosrinovimi i kontratave me mësuesit mbështetës apo edhe mospërshtatjen e fëmijëve me ndryshimin e shpeshtë të tyre./OraNews/