Skandal në rindërtimin e shkollave, u restauruan në 2017, tërmeti zbuloi se ishin me anomali të rënda

Rikonstruksioni i shkollës  "14 Nëntori" ishte objekti më i fundit i auditimit të KLSH ku janë konstatuar shkelje të rënda.

Mungesa e lejes së ndërtimit dhe të kostos së riparimit  por dhe mungesa e miratimit të ndërhyrjes Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë janë disa nga problemet e konstatuara. 

Punimet për objektin, i cili ndodhet në zonën B Arkeologjike të qytetit të Durrësit kanë nisur në vitin 2017, por rezulton se nuk ka pasur vëzhgim arkeologjik.

Një akt i rëndë ky duke ditur dhe pasurinë që ka nëntoka e qytetit bregdetar.

Shkolla është projektuar pa studimin gjeologjik të terrenit në të cilin do të ndërtoheshin shtesat dhe palestra e re.

Sipas KLSH për rikonstruksionin  nuk është kryer oponencë teknike dhe pse vlera e preventivit shkon në 108.273.600 lekë.

Madje edhe pse janë konstatuar ulje të dy objekteve shtesë dhe anomali në pjesën e bashkimit me ndërtesën ekzistuese, shkolla është deklaruar e përfunduar në prill të 2018. 

Tërmeti i 21 shtatorit 2019 ka nxjerrë në pah këto defekte dhe cilësinë e punimeve.

Në raport cilësohet se punimet për ndërtimin nuk janë realizuar sipas preventivit në projekt duke i shkaktuar kështu buxhetit të shtetit një dëm prej 2.759.640 lekë pa TVSH.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përcaktuar shkelje dhe në procedurën e prokurimit të rikonstruksionit të shkollës, ku shihet se sipërmarrësi BOE ka kryer deklarim të rremë të makinerive dhe numrit të punonjësve që ka angazhuar për projektin duke ndikuar kështu në cilësinë e punimeve. 

Në Durrës janë audituar 11 objektet arsimore për të cilat sipas KLSH nuk rezultojnë aplikime në sistemin elektronik për leje prishje, leje zhvillimi apo leje ndërtimi thuhet në raport./OraNews/