"Jemi në degradim të plotë", Çollaku për integrimin në BE: S'mund të hapen dyert për një shtet të korruptuar

Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Matilda Mcini diskutoi mbi nismën "Open Ballkan" e cila ka shkaktuar diskutime të shumta midis qeverive të Ballkanit.

Kosova, Bonjë-Hercegovina dhe Mali i Zi e kundërshtojnë këtë nismë, ndërkohë që qeveria shqiptare, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë pro. Çollaku u shpreh se nisma "Open Ballkan" në thelb sintetizon qasjen antievropiane të një Ballkani të dominuar nga forca antievropiane.

Sipas tij, Open Ballkan orientohet nga një lokomotivë që është Serbia që në mënyrë absolute orientimin nuk e ka drejt BE-së, por thelbësisht orientohet nga aleancat me Rusinë.

Çollaku: "Shqetësimi dhe bindja ime dhe jo vetëm e imja është se procesi i "Open Ballkan" në thelb sintetizon qasjen antievropiane të një Ballkani të dominuar nga forca antievropiane. Serbia krijon hapësirën për një influencë ruse në Ballkan. Nisma të tilla si "Open Ballkan" ose "Mini Shengen" në kohëra të tjera është quajtur dhe "Unioni Ballkanin" në thelb është e njëjta gjë. Është një Ballkan nën ndikimin, hegjemoninë e Serbisë. Çështja është se projekti ruso-serb për një Ballkan nën influencën serbe, nënkuptohet ruse përshtatet me të njëjtat elemente siç është projekti i Ballkanit Perëndimor përmes procesit të Berlinit. Të njëjtët elementë përdoren në një nismë tjetër shumë tinëzare e quajtur "Open Ballkan."

Diferenca është esenciale sepse në rast se procesi i Berlinit garantohet si lokomotivë nga Gjermania dhe BE-ja, Open Ballkan orientohet nga një lokomotivë që është Serbia që në mënyrë absolute orientimin nuk e ka drejt BE-së, por thelbësisht orientohet nga aleancat me Rusinë. Rama në Tiranë ka përdorur pushtetin dhe lobimin serb të fuqizuar kohët e fundit për të siguruar korsi pushteti dhe pse jo për të ndikuar në zhvillimet politike brenda vendit.  "

Përsa i përket çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, Çollaku u shpreh se duhet të shpëtojmë nga propaganda e qeverisë që vendi ynë është gati. Sipas tij, Shqipëria është në një degradim të plotë dhe Evropa nuk mund t'i hapë dyert për një vend të korruptuar.

Çollaku: "Është një skepticizëm të cilin duhet ta shohim në mënyrë realiste dhe duhet t'i shpëtojmë propagandës që na serviret se ne jemi gati, çdo gjë funksionon perfekt dhe ne jemi gati të hapim negociatat. Jo! E vërteta është se ne nuk jemi gati. Ne jemi në degradim të plotë, ne jemi në kushtet e dhunimit flagrant të lirive themelore, ne dalim në mënyrë të përsëritur nga zgjedhje që vidhen, ne dalim në mënyrë të përsëritur nga kushte ku dhunohen liritë kryesore të njeriut. Si mendoni që do hapen këto dyer kur jemi në këtë gjendje degraduese.

Alibia se ne jemi gati, por nuk na pranon Franca apo Gjermania apo vende të tjera është alibi për të fshehur problemet.  Integrimi në BE nuk është çështje e politikës  së jashtme, politika e jashtme  ka një rol 10-20%, kjo është çështje e politikës së brendshme, është e mënyrës se si ne ndërtojmë shtetin tonë, çfarë standardesh përmbushim. Si mund të hapen dyert në një shtet totalisht të korruptuar? Me çfarë standardesh do hapë dyert Evropa? Në këto standarde vendi, është iluzion që ne do jemi ndonjëherë pjesë e BE-së."

Çollaku u shpreh se nëse nuk ndryshon politika e brendshme nuk mund të hapen dyert e Evropës dhe nuk duhet të hapen për vende të tilla.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku