Banorët e Laprakës sërish në protestë, kundërshtojnë projektin e "Unazës së Madhe"
Rrugët e Laprakës u bllokuan sërish të martën nga banorët që preken nga projekti i "Unazës së Madhe" të kryeqytetit.
Pavarësisht insistimit të tyre, institucionet vijojnë të heshtin duke mos dhënë informacion.
Janë rreth 700 shtëpi që preken nga projekti, por zyrtarisht janë njoftuar vetëm ata banorë që kanë certifikatë pronësie.
"Ne duhet ta dimë kur fillojnë punimet, duhet ta dimë kur duhet t'i lirojmë shtëpitë, duhet ta dimë ku do shkojmë se jemi në mes të katër rrugëve. Kemi punuar një jetë dhe kemi ndërtuar një shtëpi. Në momentin që ne dalim në rrugë të madhe duhet ta dimë ku e kemi strehën."
Të tjerët nuk e dinë ende fatin e shtëpive të tyre, ku kanë investuar mundin e një jete.
"Këto që po bëjmë ne bien në vesh të shurdhër nga ana e qeverisë apo e bashkisë prandaj ne do vazhdojmë protestat dhe do bllokojmë rrugën."
Banorët kërkojnë të takohen me drejtuesit më të lartë të shtetit për t`ju shprehur shqetësimet që kanë.
"Ne nuk jemi kundër projekteve, projektet madhorë të bëhen, është një arterie kryesore rrugore që e liron lëvizjen e automjeteve në kryeqytet. Çdo banesë me ose pa legalizim të marrë dëmshpërblimin e plotë."
Ata thonë se nuk do të dalin nga banesat nëse ato nuk vlerësohen me çmimin e tregut ndërsa paralajmërojnë protesta edhe në vijim.





