Tronditëse/ 216 mijë fëmijë janë abuzuar seksualisht nga klerikët e Kishës Katolike në Francë

Një raport  tronditës, i cili sapo është publikuar ka zbuluar se 216,000 fëmijë janë abuzuar seksualisht nga anëtarët e klerit katolik francez që nga viti 1950.

Në raport shkruhet se numri i të abuzuarve mund të shkojë në 333,00. Kreu i hetimit, Jean-Marc Sauvé, tha se shifrat ishin "tronditëse".

Ndërkohë kisha franceze shprehu "turp dhe tmerr" për zbulimet  dhe kërkoi falje.

Një nga të abuzuarit e quajti raportin pikë kthese në historinë e Francës  dhe tha se tashmë është koha që kisha Katolike të rivlerësojë thelbësisht veprimet e saj.

Publikimi i raportit shënon skandalin e fundit të abuzimit seksual që tronditi Kishën Katolike Romake, shkruan BBC.

Hetimi është kërkuar  nga Kisha Katolike Franceze në 2018. Kaluan më shumë se dy vjet e gjysmë hulumtime,  duke kontrolluar të dhënat e gjykatës, policisë dhe Kishës.

Sauvé, një nëpunës i lartë civil, tha se deri në fillim të viteve 2000, Kisha Katolike kishte "treguar një indiferencë të thellë dhe madje mizore ndaj viktimave".

Komisioni gjeti dëshmi për 2,900 deri në 3,200 abuzues,  nga gjithsej 115,000 priftërinj dhe klerikë të tjerë, por tha se ky ishte ndoshta një nënvlerësim.

Raporti i tij, i cili është gati 2.500 faqe, thotë se "shumica dërrmuese" e viktimave ishin djem  para-adoleshentë, 60% e të cilëve kishin pësuar shqetësime serioze në jetën e mëvonshme, qoftë në aspektin emocional dhe atë seksual./Ora News/