Fituan Nobelin në mjekësi, shkencëtarët zbuluan si funksionojnë receptorët ndijorë te njeriu

Dy shkencëtarë amerikanë kanë fituar këtë të hënë (4 tetor) Nobelin në Mjekësi. David Julius dhe Ardem Patapoutian zbuluan mënyrën se si funksionon ndijimi nervor për të prekjen dhe temperaturën.

Zbulimi i shkencëtarëve është parë si një çelës për të zbuluar dhe shpjeguar edhe më tej madhështinë e Natyrës dhe Njeriut.

"Ky zbulim novator nga laureatët e çmimit Nobel të këtij viti na ka lejuar të kuptojmë se si nxehtësia, të ftohtit dhe forcat mekanike mund të iniciojnë impulset nervore që na lejojnë të perceptojmë dhe përshtatemi me botën," thanë zyrtarët e komitetit të Nobelit pasi u shpallën fituesit.

Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Nobel Thomas Perlmann tha se në jetën e përditshme, ne i marrim këto ndjesi si të mirëqena, por si iniciohen impulset nervore në mënyrë që temperatura dhe presioni të perceptohen? Kjo pyetje është zgjidhur nga laureatët e Çmimit Nobel të këtij viti.

Zbulimi është tejet i rëndësishëm sepse mund të çojë në shpikjen e ilaçeve të reja që do të ndikonin shumë te të sëmurët me zemër, por edhe duke izoluar këto molekula do të bëhet e mundur që personat me djegie të rënda t’u rigjenerohet lëkura më mirë.

David Julius, me prejardhje hebreje, është diplomuar në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets dhe Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, ndërsa e ka kaluar karrierën e tij duke hulumtuar mënyrën se si shqisat njerëzore funksionojnë.

Ai e bashkëndau çmimin Nobel me shkencëtarin tjetër Ardem Patapoutian, një biolog molekular dhe neuroshkencëtar me origjinë nga Libani që aktualisht punon në qendrën kërkimore Scripps.