Gjici tregon objektivat e ekipit të Kukësit: Do konkurojmë për titull. ‘Kritika’ për trajnerin
Kryetari i Bashkisë Kukës dhe njëkohësisht dhe Presidenti i ekipit të Kukësit, në një intervistë ekskluzive për RTV Ora, shprehet se objektivi i ekipit është që të konkurojë për titull.
Në një lidhje me ‘Skype’ në emisionin “Ora Sport”, Gjici thotë se deri më tani trajneri i ekipit Diego Longo, ka bërë një punë të mirë duke qenë se deri më tani Kukësi ka mbledhur 7 pikë.
Safet Gjici: Objektivat e klubit janë të qarta që në fillim. Do konkurojmë për titull. Objektivat janë objektiva. Padyshim që jemi në ndeshjen e katërt dhe për katër ndeshje trajneri ka bërë një punë të mirë sepse ka mbledhur rreth 7 pikë dhe si fillim nuk është keq.
Ai thotë se Kukësi kishte mundësi për më shumë pikë, por megjithatë në futboll ndodhin gabime.
Safet Gjici: Kishim mundësi që të merrnim më shumë por futbolli i ka këto, gabimet si në rastin me Laçin. Por janë lojtarë të ri që duan kohën e vet. Por unë besoj se trajneri është punëtor, karizmatik dhe ne duhet ta mbështesim. Nuk e kuptova se përse u anulua goli me Teutën.
Më tej shton se trajneri duhet të korrigjojë gabimet që janë bërë gjatë ndeshjes me Laçin dhe me Teutën.
Safet Gjici: Por lozëm mirë, me ca gabime që i takon trajnerit që t’i korrigjojë./ Ora News/