Tirana fiton me dy autogola, mposht 2-0 Laçin në “Selman Stërmasi”
Pas dy barazimeve radhazi në Superiore, Tirana rigjen fitoren. Ndaj një skuadre të fortë si Laçi, në “Selman Stërmasi”, bardheblutë e Orges Shehit bëjnë më mirë dhe arrijnë të marrin 3 pikë edhe pse golat erdhën nga dy gabime të lojtarëve të Laçit të cilët shënuan në portat e tyre.
Tirana e nis më mirë pjesën e pare dhe është më kërkuese teksa Dajsinani bëhet hero në një moment duke shpëtuar portën e Laçit nga goli i Ismajgecit në 30’.
4 minuta më pas, Guindo me një aksion të rrezikshëm për pak kalon në avantazh kurbinasit por për të pare golin e pare duhet të nisë fraksioni i dytë i ndeshjes.
Në 53’, në një aksion të bardhebluve, Seferi kroson në zonë nga e djathta dhe Roganoviç i pafat e çon në portën e tij duke i dhënë avantazhin vendasve.
Në 59’, është pikërisht Seferi që ndalet nga Dajsinani për të shënuar golin e dytë për Tiranën që luan më mirë por në 73’ Laçi është shumë pranë barazimit me Guindo, gjuajtja e të cilit me kokë devijohet nga Bekaj.
Për të gjetur golin e dytë, Tirana sërish I falet një autogoli kur në 75’, në një sulm të shpejtë të tyre Totre tentoi të aistonte Ngoo por topi devijohet me shpejtësi nga Ignatoviç i cili e dërgoi serish topin në portën e tij.
2-0 është rezultati final me Tiranën që rigjen fitoren dhe kalon në kuotën e 8 pikëve kurse Laçi mbetet i parafundit dhe kjo disfatë rrezikon shumë pozicionin e trajnerit Vukiçeviç te kurbinasit./Ora News/.
