Mësimi në turne/ Kaptelli: Nxënësit do të kenë boshllëqe në formimin e tyre. Thirrja për Ministrinë e Arsimit

Mësimi me turne dhe me orë të shkurtuara ka bërë që prindërit e nxënësve në kryeqytet të nisim mbledhjen e firmave për zhvillimin e mësimit më orë të plota. Prej kësaj të enjte, prindërit i kanë lënë 5 ditë kohë institucioneve për të reaguar ose në të kundërt do të bojkotojnë mësimin.

Nisma e prindërve nisi pranë shkollës “Emin Duraku” kërkesë e vetme e tyre ishte kthimi i orëve me 45 minuta.

Ndërkohë Kreu i Sindikatës së Arsimit në Shqipëri, Nevruz Kaptelli, shprehet se Ministria e Arsimit duhet ta kundërshtonte me forcë vendimin e marrë nga Komiteti i Ekspertëve, për masat e ndërmarra për përhapjen e Covid-19.

Në një intervistë që ka dhënë për edicionin e lajmeve të Ora News , me gazetaren Matilda Mcini, Kaptelli thekson se nxënësit marrin mësim të cunguar dhe mësuesit janë në vështirësi.

Nevruz Kaptelli: Kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri të Komitetit të Ekspertëve që marrin masa paraprake për ndalimin e virusit. Do thosha që është një mungesë seriozitetit edhe nga Ministria e Arsimit, sepse përpara se të vendoste për këto masa duhet të pyeste jo vetëm grupet e interesit dhe sindikatat por edhe specialistë të tjerë për të marrë një vendim, i cili do të ishte më i miri. Ministria e Arsmit duhet ta kundërshtonte me forcë për vendimin e marrë.

Është e qartë që ky mësim që po bëhet me turne duke e ndarë klasën në grupe, fëmijët do të marrin  një mësim jo të plotë dhe të cunguar. Vetë mësuesit ndihen shumë në vështirësi sepse për një kohë kaq të shkurtër, nuk u del koha për asgjë tjetër. Mësuesit me kohën që u është vënë në dispozicion e kanë të pamundur që të japin një mësim të plotë. Kjo është një papërgjegjshmëri nga Komuniteti i Ekspertëve.

 

Më tej thekson se përhapja e virusit nuk mund të shmanget me masat kufizuese që janë marrë në fushën e arsimit.

Me vendimin që kanë marrë duket se ata nuk janë të interesuar sepse përhapja e virusit nuk mund të shmanget vetëm me masat që ka ndërmarrë.

Nevruz Kaptelli: Ekspertët e Komunitetit e kanë pranuar vetë se nxënësit e transmetojnë më pak nga të gjithë virusin dhe kanë pasoja më të lehta. Eksperti nuk duhet të marrë masa vetëm për fushën e arsimit, ku rreziku ku është më i vogël, por në vende të tjera. Çfarë kuptimi ka kur urbanet janë plotë dhe maska nuk bëhet e detyrueshme, lokalet janë plot dhe nuk ka distancim. Qeveria nuk guxon më të hyjë në fasoneritë ku punojnë qindra gra në ambiente të përbashkëta. Ne kemi qenë i vetmi vend që lejuam turistët pa test Covid. Ekipi i Ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë nuk është serioz dhe me vendimet që merr duket se nuk është i interesuar.

Kaptelli në emër të sindikatës i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që t’i kërkojë Ministrisë së Shëndetësisë që t’i heq këto masa dhe mësimi të zhvillohet normalisht

Nevruz Kaptelli: Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit, është në kohë që t’i kërkojë Ministrisë së Shëndetësisë që t’i heq këto masa dhe mësimi të zhvillohet normalisht. Nuk përbën asnjë rrezik, gati 80% e mësuesve janë të vaksinuar dhe fëmijët nuk janë përhapës të virusit dhe nuk kanë pasoja për  shëndetin e tyre.  Në këto kushte nuk bëhet fjalë fare për cilësi arsimi. Po flasim për shkollat që punohet me turne. Sot në orën 10 në një shkollë, ishin rreshtuar për të marrë fëmijët. Mësimi është vetëm 2 orë. Çfarë do të bëjë mësuesi. Mësuesi ka një ngarkesë të tejskajshme.

Sipas Kaptellit nxënësit në të ardhmen do të kenë boshllëqe në formimin e tyre.

Nevruz Kaptelli: Nxënësit po marrin mësimin e cunguar do të kenë boshllëqe në formimin e tyret përgjithshëm dhe këto do të reflektohen dhe në vijim të shkollës së tyre dhe në Universitet Ministria të marrë masa që mësimi të bëhet i plotë.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.