Thertorja nxjerr sërish në rrugë banorët e Laknasit: Na kanë kërcënuar, stallën e derrave ta bëjë në Kukës
Punëtorët e firmës që kërkon të ndërtojë thertore në Laknas nxorën sërish në rrugë banorët e zonës.
Ata thonë se nuk do të lejojnë ndërtimin e thertores dhe se do të mbrojnë pyllin me çdo kusht.
"Me na pru stallën e derrave këtu. Përditë do të jemi këtu.Të shkojë në Kukës të ngrejë thertoren ai, jo këtu".
"Komisariti 5 mbron hajdutin. Në Tiranë më pyesnin gratë ku bie Laknasi. E gjeti mirë ai".
Banorët thonë se janë të lodhur me këtë situatë që ka 3 vite por thonë se janë të vendosur për të rezistuar.
"Nuk del në skenë ai, sjell vetëm punëtorët për të bërë ndërtimin dhe policinë. Prej 2019 ky avaz".
Thonë se kanë marrë edhe kërcënime.
"Jemi kërcënuar me jetë që dje nga përfaqësuesit e Dacit. Policia të bëjë detyrën. Pa vendim gjykate këtu ta harrojnë se bëjnë ndërtim. Ne mbetëm në rrugë, se kuptojmë kemi shtëpi apo jo. Të vijë Rakip Suli këtu dhe Edi Rama.Këtu do të rrimë deri kur të vdesë dhe njeriu i fundit."
Ndërkohë 4 prej banorëve janë kallëzuar në polici për dhunim të punëtorëve të firmës gjatë përplasjes së një dite më parë.

"Nuk ka ndodhur asgjë. Bledar Daci nuk ka qenë prezent, si e pa çfarë u bë këtu, janë mashtrime, kallëzime të rreme. Ikën katër persona sot, kemi qenë 10. Asnjë makinë nuk do të kalojë pa u kontrolluar nga ne, ta harrojnë. Presim drejtësi nga gjyqtari i shkallës së parë për drejtësi, e ka verifikuar vetë që nuk është zall por është pyll".
