"Porositësi" kap 21 kg drogë në Durrës, do shitej për 38.800 euro
Një sasi prej 21 kg lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar në qytetin e Durrësit në kuadër të operacionit të koduar “Porositësi”
U arrestuan në flagrancë shtetasit Admir Dedja, 25 vjeç, Beart Ismailaj, 24 vjeç, Hismet Toro, 33 vjeç dhe Misim Koldashi, 55 vjeç (i shpallur në kërkim për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike), të gjithë banues në Durrës.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po tentonin të shisnin, kundrejt shumës 38.800 euro, rreth 21 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u gjet në garazhin e banesës së shtetasit Misim Koldashi dhe u sekuestrua në cilësinë e provës material” informon policia.
Gjithashtu, në vijim të kontrolleve, në pronën e shtetasit Misim Koldashi, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara disa bimë narkotike cannabis sativa.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.