Deputetët në komisione me pasaportë vaksinimi, nga java tjetër mbledhjet nisin fizikisht
Mazhoranca është tërhequr nga vendimi për ti zhvilluar mbledhjet e komisioneve parlamentare online. Të hënën do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për këtë çështje ndërsa deputetët e vaksinuar do të jenë prezent në komisione.
Për të dytën ditë radhazi deputetët e Partisë Demokratike u paraqitën fizikisht në mbledhjen e komisioneve parlamentare, ndërsa debatuan me përfaqësuesit e mazhorancës të cilët prezent në mbledhje quajnë vetëm ata në platformat online.
Deputetët opozitarë në Komisionin e Medias, Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe në Komisionin e Ekonomisë e kanë cilësuar situatën të papranueshme, duke e vlerësuar si tentativë për ti mbyllur gojën opozitës.
"Do të ndërmarrim çdo hap ligjor për të përmirësuar jetesën e qytetarëve shqiptarë".
"Opozita është këtu për të ruajtur ligjet e vendit, për të mbrojtur Kushtetutën, opozita nuk lutet."
Por pas këtyre debateve ka ardhur reflektimi i socialistëve. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, njoftoi se do të pranohet propozimi i bërë ditë më parë nga demokratët që mbledhjet të jenë me prezencë fizike, por me një kusht që deputetët të jenë të vaksinuar.
Për këtë çështje do të mblidhet të hënën e ardhshme Konferenca e Kryetarëve.
"Pjesëmarrja duhet të jetë me certifikatë vaksinimi. Në raste të veçanta ku mjekët nuk rekomandojnë vaksinimin duhet të jenë të pajisur me një test PCR."
Ky vendim për Partinë Demokratike nuk është asgjë tjetër veçse rikthim në ligjshmëri.
Nuk ka një shifër sa nga 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë marrë një dozë apo dozën e plotë të vaksinës anti-Covid.
Për këtë çështje pritet që Kuvendi ti drejtohet zyrtarisht Institutit të Shëndetit Publik.