Vdekja e 46-vjeçares në spitalin e Pogradecit, bashkëshorti: Mbaroi sapo i bënë gjilpërën
Anila Bazelli 46 vjeç nga Pogradeci ka humbur jetën të martën në spitalin e Pogradecit, në rrethana ende të paqarta.
Bazelli me profesion mësuese, është paraqitur në urgjencën e spitalit të Pogradecit rreth orës 19:00 të së martës (28 shtator), ndërsa pas mjekimit fillestar gjendja e saj është përkeqësuar, ku edhe ka humbur jetën.
Familjarët e viktimës duke thënë se 46 vjeçarja ka shkuar vetë në spital, akuzojnë mjekët e urgjencës për trajtim të pakujdesshëm që ka çuar në vdekjen e saj.
"Më gjatë nuk mund të vazhdoj dot për shkak dhe të dhimbjes që kam, por di që zonja ime ishte me shëndet të mirë. Di që zonja ime ka ikur nga mjekimi i pakujdesshëm. Në spital ka ikur me këmbët e saj, me tension normal. U bë gjilpëra ajo mbaroi," tha ai.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Spitalit të Pogradecit nëpërmjet Shefit të Shërbimit Vasfi Topçiu, i cili duke thënë se pacientes i është dhënë ndihma e parë në mënyrë korrekte, deklaron se për detajet pritet ekspertiza mjeko-ligjore.
"Personeli i urgjencës së spitalit me paraqitjen e të sëmurës në institucion i është përgjigjur menjëherë gjendjes së saj, ka reaguar menjëherë në dhënien e ndihmës për të. Ne për të pasur të dhëna më të sakta jemi në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore," tha Topçiu.
Nisur nga pretendimet e familjarëve prokuroria e Pogradecit ka urdhëruar që trupit të viktimës t’i bëhet autopsia dhe të mësohet shkaku i vërtetë i vdekjes./OraNews/
