Në Vlorë mungon mirëmbajtja e ashensorëve, shumë prej tyre të pakolauduar

Banorë të shumtë në Vlorë çdo ditë përballen me frikën se mund të bllokohen në ashensor.

Në zona të ndryshme në qytet pamjet tregojnë ashensor të rrënuar të pakolauduar ndërsa prej vitesh mungon administrimi dhe jeta e banorëve është në rrezik.

"Të gjitha me probleme. Kam 2 vjet se jetoj me qira, por..."

"Jo, nuk të paguan njeri, por e bëjmë në mënyrë vullnetare."

"Problemi më i madh është administratori i pallatit që është 80 vjeç, mezi ecën jo të administrojë pallatin."

Drejtuesi i shërbimit zjarrfikës në Vlorë, Kastriot Begaj tha se pranë emergjencës mbërrijnë më shumë se 50 telefonata në vit nga banorë, të cilët mbeten të bllokuar në ashensorë.

"Zakonisht në ashensor ne kemi gjetur moshat e treta, gra ose fëmijë, ose gra shtatzëna."

Edhe pse ekziston një ligj për administrimin e pallateve vetëm tani ka nisur implementimi i një projekti pilot për përzgjedhjen e administratorëve tha drejtori i zyrës së urbanistikës në bashkinë Vlorë Jurgen Çollaku.

"Bashkia nëpërmjet një projekti pilot ka marrë një nismë për seleksionimin e disa administratorëve të disa pallateve. Ky projekt pilot do funksionojë në të ardhmen për të seleksionuar në bazë të disa kritereve të veçantave administratorët për të gjithë pallatet. Përgjegjësitë për kolaudimin dhe përgjegjësia për certifikimin e ashensorëve varet nga ISHMT Tiranë."

Mirëmbajtja e pallateve dhe mungesa e kontrolli teknik të ashensorëve mbetet ende shqetësuese në qytetin bregdetar, i cili vizitohet nga mijëra turistë gjatë verës.