Debatet dhe problemet teknike dështojnë diskutimet online në Kuvend
Dita e parë e punimeve të komisioneve parlamentare ka nisur me probleme në transmetimin online por dhe me debat me opozitën sa i përket formës së diskutimeve. Madje PD ka akuzuar se qëllimisht nga rrjetet sociale të Kuvendit u fshi diskutimi në komisionin e Shëndetësisë, mbledhjen e së cilës e kryeson opozita.
Komisionet parlamentare kanë nisur me debatin mes mazhorancës dhe opozitës për lejimin e medias për të transmetuar diskutimet.
Kërkesës së opozitës mazhoranca i paraqiti argumentin e pandemisë.
Madje Partia Demokratike akuzon se mbledhja e komisionit të Shëndetësisë është fshirë qëllimisht nga Kuvendi.
Por edhe në komisionet ku nisi diskutimi online funksionimi ka qenë problematik, ndërsa këtë e vunë re dhe deputetët e mazhorancës.
"Nuk dëgjoj çfarë thuhet, po rrimë kot më duket" tha Xhemal Qefalia.
Në komisionin e Ligjeve deputetët e opozitës kërkuan që prezenca të mos bëhej vetëm online, duke sjellë dhe përplasje.
Duke e konsideruar sjellje të papranueshme, Oerd Bylykbashi akuzoi Ramën se nuk pranon transparencën.
"Është qartazi mënyrë për të hequr totalisht transparencën që u duhet qytetarëve shqiptarë për të kuptuar kush janë aferat korruptive që Edi Rama i kthen në ligj. Jemi këtu që kjo mos të lejohet" tha Bylykbashi.
Edhe kryetarja e komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, shprehu shqetësimin për situatën.
Megjithatë deputetët e PD-së deklaruan se do të jenë gjithnjë pjesë e diskutimeve parlamentare.

