Tifozët protestojnë, Dortmundi detyrohet të modifikojë sërish fanellën
Futbolli është i tifozëve dhe luhet për tifozët. Ky është një ligj i pashkruar që nuk mund ta rrëzojë askush dhe zëri i tifozëve gjithashtu ka një rëndësi të madhe.
Rasti në fjalë tregon se deri ku mund të shkojnë tifozët me kërkesat e tyre dhe ka të bëjë me Borussia Dortmund e cila kishte modifikuar fanellën gjatë verës pikërisht për pakënaqësi të mbështetësve të tyre.
Duket se këta të fundit nuk janë fort të kënaqur ende dhe protestuan sërish kundër klubit që të modifikojë fanellën, protestë që ka të bëjë me logon e skuadrës e cila sipas tifozëve ende nuk është mjaftueshëm e dukshme dhe se sipas tyre duhet të jetë vizualisht shumë e dukshme mbi fanellë.
Edhe pas ndeshjes së parë në Champions ndaj Besiktas, mbështetësit e klubit gjerman protestuan ashpër se stema ishte mënjanuar në fanellë dhe nuk ka pamjen e duhur ndaj dhe klubi tashmë u detyrua të pranojë sërish kërkesën e tyre dhe ka kërkuar nga UEFA që të pranojë modifikimin e fanellës.
Duke nisur nga ndeshja e radhës në Champions League, tifozet do të shikojnë një fanellë tjetër me stemën e dukshme të klubit gjerman dhe të gjithë do të jenë të kënaqur.
Gjithsesi, për t’u theksuar fakti që zëri i tifozëve vendosi edhe njëherë drejtësi duke parë se sipas tyre, drejtuesit kishin anashkaluar dhe kishin lënë në hije stemën legjendare të Dortmundit./Ora News/.
