Mundi ukrainasin në boks, Ambasada amerikane uron Florian Markun, kampionin e parë botëror shqiptar
Urimeve për boksierin Florian Marku për fitoren që korri ditën e djeshme pasi mposhti në Londër të pathyeshmin Maxim Prodan dhe u shpall kampion bote në IBF, në kategorinë Welterweight, u është bashkuar dhe Ambasada amerikane në Tiranë.
Në një postim në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së nënvizohet fakti se Marku është kampioni i parë botëror shqiptar.
"Urime Florian Markut, Kampionit Shqiptar për peshat e lehta të Federatës Ndërkombëtare të Boksit! Ne në Ambasadën Amerikane dërgojmë urimet më të mira për kampionin e parë botëror shqiptar! Urime kampion!", shkruan ambasada e SHBA në Facebook.
Prej të shtunës, 26 shtator, Shqipëria e ka një kampion bote në boksin profesionist dhe elitar teksa Florian Marku mposhti para mijëra tifozëve në stadiumin e Tottenham, rivalin Maxim Prodan.
Boksieri kuqezi nuk njeh humbje dhe kështu kurorëzoi ëndrrën duke u shpallur kampion bote në peshën e mesme, i pari për të dhe boksin shqiptar në këto nivele.
Në arenën gjigante të Tottenham, Marku kishte përballë rivalin ukrainas, i cili nuk kishte pësuar asnjë humbje por ja që e mori një të tillë përballë luftëtarit kuqez dhe pas 10 raundesh të cilat u dominuan nga bokseri kuqezi.
Në prani edhe të shumë tifozëve shqiptarë që ishin aty për të mbështetur Markun, ky i fundit kurorëzoi ëndrrën pasi gjyqtarët me pikë i dhanë fitoren atij përballë Prodan.
Ndoshta Marku do të donte ta kishte hedhur nokaut ashtu siç e kishte parashikuar para duelit por edhe kjo fitore, në këtë mënyrë është historike për të dhe Shqipërinë.
Më në fund edhe Shqipëria ka një kampion bote të vërtetë në boks, titulli IBF për peshat e mesme i përket Florian Markut.
