Plumb studentes në Vlorë, ish partneri plagos 20 vjeçaren, hyri me dy granata në lokal
Studentja e universitetit të Vlorës Kostandina Zanaj, 20 vjeçe mbeti e plagosur me armë zjarri pas debateve të ashpra që pati me një 30 vjeçar që mendohet se është ish partneri i saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi sot në mesditë (25 shtator) në “Bar Cacai”, në lagjen lagjia “28 Nëntori”, ndërsa përveç të resë së plagosur, incidenti mund të kishte sjellë pasoja edhe për jetën e personave të tjerë të pranishëm pasi autori kishte granata me vete.
“Falë reagimit të forcave Shqiponja është bërë e mundur neutralizimi i personit të dyshuar që ka qëlluar me armë zjarri, është sekuestruar arma” tha Drejtori i policisë së qarkut Bledar Çeliku i cili shkoi në vendin e ngjarjes.
Si autor i ngjarjes është arrestuar shtetasi Fadil Likaj, 30 vjeç nga Shkodra. Ky i fundit mësohet se kishte udhëtuar së fundmi drejt Vlorës, për të sqaruar debatetet me 20-vjeçaren me të cilën besohet se ka pasur një lidhje.
Biseda në lokal ka zgjatur disa minuta dhe mesa duket nuk ka shkuar mirë pasi në dalje, teksa vajza kishte vedosur të largohej, 30 vjeçari ka nxjerrë armën duke e qëlluar.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur ambulanca, që ka dërguar 20-vjeçaren në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi ka marrë mjekime për plagën e plumbit në këmbë.
Ndërkohë gjatë arrestimit mësohet se 30 vjeçarit i janë gjetur veç pistoletës, edhe dy granata dore njëra prej të cilave i ka rënë nga duart në situatën e tensionuar teksa dilte nga lokali ku ishte takuar me studenten.