Dënimi i Adriatik Llallës, Rama komenton për TV francez: Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në intervistën e dhënë për televizonin francez "TV5MONDE" komentoi dënimin e Adraitik Llallës. Rama pohon se Shqipëria është në luftë të hapur kundër korrupsionit .
Ai thotë se është tregues shumë i mirë për Shqipërinë fakti se persona me pushtete të larta ndodhen para gjykatave, ose janë dënuar.
Gazetarja: Brukseli e ka bërë luftën kundër korrupsionit një kusht për anëtarësim. Një ish-drejtues i Prokurorisë u dënua me 2 vite për korrupsion. Po jua përsëris pyetjen, a është Shqipëria e pajtueshme me Evropën, në varësi të asaj çka ju kërkon Brukseli?
Edi Rama: Fakti që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë. Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Evropë, së dyti po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim.
Një ditë më parë kryeministri Rama mbajti një fjalim të gjatë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku foli për disa çështje, si pandemia, refugjatët afganë dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
