Rama: Afganëve s’ua hapëm derën me kërkesë të SHBA-ve, Turqia vend mik i Shqipërisë prej kohësh
Kryeministri, Edi Rama, në një intervistë nga Nju Jorku për televizionin francez "TV5MONDE" thotë se Shqipëria si anëtare e Këshillit të Sigurisë në OKB, i ka idetë e qarta dhe se është në një luftë të hapur kundër korrupsionit.
Edi Rama: "Jemi një vend evropian në mes të Europës, kemi probleme, përpiqemi t’i zgjidhim, bëjmë reforma, rruga është e gjatë sigurisht, por jemi në drejtimin e duhur, pa dyshim, përndryshe Këshilli Evropian nuk do ta kishte marrë unanimisht vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë."
Pyetjes nëse Shqipëria e pajtueshme me Evropën, në varësi të asaj çka kërkon Brukseli, Rama përgjigjet:
Edi Rama: "Fakti që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë. Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Evropë, së dyti po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim."
Ndër të tjera Rama është ndalur edhe te pranimi i shtetasve afganë nga Shqipëria, pas marrjes së pushtetit në Afganistan nga talibanët.
I pyetur nëse Shqipëria po përpiqet që të fitojë favore nga Uashingtoni duke strehuar refugjatët afganë, Edi Rama tha se kërkesa për strehimin e tyre nuk erdhi nga qeveria amerikane por nga organizata humanitare në SHBA.
Edi Rama: "Ne s’ua hapëm derën me kërkesë të SHBA, të qeverisë së SHBA. E hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në SHBA, dhe thamë “PO”. Sepse për ne, kjo është çështje respekti ndaj historisë, ne jemi një vend mikpritës, një vend që, me krenari ka qenë vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, jemi një vend që ka pritur gjysmë milion refugjatë lufte që u ikën masakrave të regjimit të Sllobodan Milosheviçit në 1999 dhe jemi një vend ku është shumë e rëndësishme që të mos harrohet, se ka një kohë për të kërkuar, ka një kohë për të dhënë. Ne kemi qenë afganët para 30 vjetëve, dhe po të mos kishte qenë mikpritja e italianëve dhe e të tjerëve nuk do të kishim mundur të dilnim nga ferri ynë, që nuk ishte një ferr i talibanëve islamistë, por ishte një ferr i talibanëve të kuq. Për të gjitha këto, për ne kjo është thjesht e natyrshme."
Edi Rama këtë javë takoi gjithashtu në Nju Jork javë presidentin turk Rexhep Tahip Erdogan.
Pytjes së gazetares nëse po forcohet interesi për Turqinë, në dëm të Bashkimit Evropian, Rma i përgjigjet.
Edi Rama: "Turqia është një vend mik i Shqipërisë prej një kohe shumë të gjatë. Me Turqinë, Greqinë dhe Italinë ne kemi një partneritet strategjik dhe miqësia me Turqinë dhe marrëdhëniet me Turqinë nuk janë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Aspak."
Prej disa ditësh, Rama ndodhet në Nju Jork, ku dhe është prezantuar si kryeministri i Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme.
Një ditë më parë kryeministri Rama mbajti një fjalim të gjatë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku foli për disa çështje, si pandemia, refugjatët afganë dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

