Shano: Paraja informale po trupëzohet në sektorin e ndërtimit, ne jemi ende në krizë
Ekonomisti dhe anëtari i këshillit kombëtar të PD, Dritan Shano i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini foli rreth situatës ekonomike në vendin tonë.
Zoti Shano u shpreh se vendi ndodhet ende në krizë, por i vetmi sektor i cili nuk u prek është ndërtimi.
Për ekonomistin, në këtë sektor kanalizohet paraja ilegale e cila vjen nga droga, marijuana dhe aktivitetet e tjera ilegale që mund të vijnë nga korrupsioni.
Shano: "Turizmi i këtij viti ka qenë më i mirë se sa ai i vitit që shkoi dhe kjo ka sjellë të ardhura në buxhetet e bizneseve të turizmit, ka sjellë të ardhura edhe në buxhetin e shtetit në formën e taksave. Sektorët e tjerë nuk është se kanë ndjerë ndonjë përmirësim nga të cilët unë do hiqja vetëm ndërtimin, i cili është në një 'boom' të paparë këto 2 vite. Ndërtimi në gjykimin tim kanalizon paranë ilegale të drogës, të marijuanës që prodhohet në Shqipëri dhe aktiviteteve të tjera ilegale që mund të jenë elementë të korrupsionit me buxhetin e shtetit e me radhë.
Kjo para informale po trupëzohet në ekonomi, në sektorin e ndërtimit dhe natyrisht ky trupëzim i bërë nënë hundën e qeverisë, ndoshta me bekimin e qeverisë kapet nga formula e produktit të brendshëm bruto dhe thotë që kemi rritje. Ne jemi ende në krizë, ndoshta jemi afruar nivelit ekonomik që kishim në fillim të 2019, jemi akoma duke rikuperuar dhe ajo që vërteton fjalët e mia është se edhe në programin e ri të qeverisë rindërtimi dhe marrja me pandeminë janë prioritete parësore edhe pse unë do kisha preferuar që kjo të ishte ndryshe. Mendoj se qeveria pandeminë dhe rindërtimin do vazhdojë ta përtypë dhe ripërtypë më shumë se sa duket bukur se sa realisht do jenë prezente në ekonominë shqiptare si sfida."
