SHBA: Non grata do vazhdojë... !

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë shpalljen non grata të personave të dyshuar për korrupsion madhor në rajonin e Ballkanit. Paralajmërimi vjen nga zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, i cili ka folur edhe për rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

I pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me vendimin e Sekretarit Blinken për përcaktimin publik të ish-Presidentit Sali Berisha për korrupsion madhor, Escobar ka thënë se para së gjithash, përcaktimi kishte të bënte me frenimin e korrupsionit, nuk lidhej me zgjedhjet, me palët brenda vendit.

Duke iu referuar pyetjes se përse Berisha është shpallur non grata 8 vite pas largimit nga pushteti, zyrtari i lartë amerikan ka shpjeguar vendimin duke thënë se koha e vendimit ka të bëjë me kompetencat e reja dhe përpunimin e informacionit nga administrate amerikane.

"Ka disa arsye, e para, kemi kompetenca të reja. Pastaj, gjatë asaj periudhe, duhej bërë hulumtimi dhe duhej të siguroheshim, që jemi në gjendje të bëjmë përpunimin e informacionit. Në lidhje me kalimin e informacionit tek Shqipëria, ne kemi tashmë një bashkëpunim shumë të fortë në fushën e zbatimit të ligjit, por edhe në fushën ushtarake dhe përcjellim shumë informacione. Nuk do të komentoj për ndonjë procedurë të veçantë ligjore, por ne kemi partneritet të mirë me Shqipërinë."

Gjatë intervistës, gazetari i Zërit të Amerikës Arben Xhixho ka cituar raportet e departamentit të shtetit që theksojnë se gjatë 8 viteve të qeverisjes aktuale korrupsioni ka qenë "i gjithë-përhapur" ndërkohë që nuk kemi parë përcaktimin e ndonjë zyrtari në pushtet.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar është përgjigjur duke thënë se vendime të tilla pritet të merren në të ardhmen për gjithë rajonin.

"Do të shihni përcaktime të tjera për të gjithë rajonin. Nuk mund të komentoj për raste të veçanta. Por ne synojmë t’i përdorim kompetencat, për qëllimin që ato u krijuan."