Emocionet e klasës së parë, Genc Fuga: Momenti më i vështirë, vajza qan te furgoni kur ndahet nga ne
Në prag të vitit shkollor, sipas shifrave jozyrtare rreth 31 mijë nxënës pritet të fillojnë klasën e parë. Nxënësit presin të ulen në banka pas një viti ku mësimi u zhvillua online nga pandemia. Dita e parë e shkollës është një moment i rëndësishëm për fëmijët dhe një emocion i veçantë për ata që ulen për herë të parë në banka.
Aktori Genc Fuga dhe vajza e tij Ajri e cila ulet për herë të parë në bankat e shkollës ishin të ftuar në studion e "Jeto me Orën" në RTV Ora dhe treguan emocionet e para dhe momentin më të vështirë që përjetuan.
Fuga: "Për momentin, meqë ishte java e parë e përgatitjes para nisjes zyrtare të vitit të ri shkollor ishte çështja si të ndahej nga ne, prindërit, kështu që ky është momenti më i vështirë. E ka të vështirë Ajri, e kemi të vështirë ne. "
Keni folur vazhdimisht për ta bërë pak më të lehtë këtë shkëputjen?
Fuga: "Kemi folur po sikur s'jemi marrë vesh moj motër (qesh). Ishte gjithë periudha e pandemisë që na lidhi akoma më tepër edhe ne si prindër me vajzën dhe aty ramë dakord që patjetër do mësohej gjithçka në shkollë. Tani që gjysmën e ditës e kalon në shkollë e ka të vështirë, besoj se është momenti i familjarizimit me shokët e klasës."
Aktori tregoi edhe një moment tjetër në studio kur vajza niset për në shkollë qan te furgoni.
Fuga: "Çështja është se qan te furgoni. Dhe pastaj kur i thua si kalove në shkollë, jo, jo kalova shumë mirë. Duhet ta gjejmë pse gjen tamam-tamam.( qesh)/OraNews/
