Ndryshimi i stinës dhe ndikimi në gjendjen emocionale, psikiatrja këshillon: Hiqni dorë nga kafeja dhe...

Kalimi nga stina në stinë sjell ndryshime të shumta psikologjike. Ndryshimet e kushteve atmosferike ndikojnë në gjendjen tonë emocionale. Kjo gjë bën që njerëzit të jenë më pak të motivuar për të punuar apo për të bërë aktivitete të tjera. Ky lloj ndryshimi nga ekspertët quhet depresion sezonal. Por si duhen përballuar këto ndryshime?

Psikiatria Ariana Rreli e ftuar në studion e "Jeto me Orën" në RTV Ora me moderatore Ana Kallaku tha se në vjeshtë ndodh një lloj turbulence hormonale e cila ka lidhje drejtpërdrejtë me sistemin nervor dhe e bën personin që të jetë shumë më i ndjeshëm ndaj stimujve.

Rreli: "Ne që jetojmë në Shqipëri jemi të ekspozuar ndaj shumë stresorëve të tjerë, përfshirë ata ekonomikë, socialë, por jemi vendi që edhe u prekëm shumë nga tërmeti i cili ishte një traumë për një pjesë të mirë të popullatës, pandemia e cili tronditi ekuilibrat tonë. Në vjeshtë dhe në pranverë ndodh një lloj turbulence hormonale e cila ka lidhje drejtpërdrejtë me sistemin nervor dhe e bën personin që të jetë shumë më i ndjeshëm ndaj stimujve, qoftë të jashtëm të ambientit, qoftë edhe ndaj këtyre stimujve të brendshëm. "

Çfarë ndikon në shfaqjen e gjendjes së ankthit?

Rreli: "Ditët në vjeshtë dihet që janë më shumë me shi se sa me diell gjë që bën që vetë retë të ulen dhe të ushtrojnë mbi ne një lloj presioni i cili nxjerr në pah problematika që gjithsecili prej nesh mund t'i ketë të fshehura. Pjesa tjetër është ulja e ekspozimit të orëve në diell. Shkurtohen ditët dhe ekspozimi në diell i cili ka vitaminën D dhe na duhet për të pasur një humor të mirë. Duke rënë këto orë ne mund të jemi të predispozuar të tregojmë gjendje emocionale ndryshe nga vera."

Si ta kuptojmë se diçka nuk shkon me ne?

Rreli: "Janë çrregullimet e ankthit, të cilat janë të kudo-gjetura për shkak të këtyre faktorëve që përmendëm. Periudha e vjeshtës stimulon shumë më tepër gjendjet e ankthit të cilat mund të komplikohen edhe me një humor më të rëndë se ai normal. Ankthi është një gjendje tjetër, ndërsa humori i rëndë shkon deri në depresion. "

Këshillat

Rreli: "Ne duhet të kapim ritmin duke sakrifikuar pak nga gjumi. Nëse çohemi më herët për të kapur rrezet e para të mëngjesit dhe për të bërë një aktivitet fizik që na ndihmon për uljen e stresit të bartur i japim një pasuri organizmit që në mëngjes. Ushqimi i shëndetshëm që përgjithësisht në vjeshtë kërkon përdorimin e frutave. Pjesa tjetër është një jetë e shëndetshme në tërësi, larg konsumimit të kafeinës. Kafeina është një nga stimulantët e stresit. Alkooli është gjithashtu një nga ata që duhet të përdoret në mënyrë shumë racionale. Pjesa tjetër është që të bëjmë një jetë sociale sa më të mirë, larg bisedave toksike dhe që gjithkush nga ne e njeh mirë shoqërinë e tij për të organizuar tavolina për të marrë pozitivitet. Ne përdorim çfarë kemi në dorë."  /OraNews/