‘Përplasja’ Basha- Berisha/ Spahiu: Në vend që që të merremi me pozitën po merremi me opozitën
‘Përplasja’ mes ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Krydemokratit Lulzim Basha, prej javësh ka qenë një nga temat më të diskutuara në vend.
Ndërkohë, në një intervistë për Ora News, ish-zv. ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, shprehet se opozita është përçarë, ndërsa shton se situata do ishte ndryshe nëse Basha nuk do ta merrte individual vendimin për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar.
Ai thotë se në vend që të merremi me pozitën, pasi në vendin tonë ka një sërë problematikash që shqetësojnë qytetarët, vëmendja është përqendruar tek opozita.
Ekrem Spahiu: Nuk është e lehtë të flasim për aleatin tonë të shumë viteve, aq më tepër për ish-kryetarin dhe kryetarin aktual, të kësaj partie, por është një fakt. Nuk është thjesht shqetësim për PD por për opozitën demokracinë dhe shoqërinë e shtetit shqiptar. Vjen ky moment që realisht nuk kemi qeverisje, në të gjitha drejtimet, ku gjendja ekonomike është e rëndë, siguria për jetën mungon, çmimet janë në stratosferë, krimi është rrugës. Në vend që të merremi me qeverisjen po merremi me opozitën. Shpresoj që të kaloj sa më shpejt dhe t’i kthehet normalitetit dhe PD. Realisht PD është e përçarë.
Basha për Berishën mori vendim personal. Basha mund të kishte marrë një vendim më institucional dhe jo individual. Do ishte në të mirë të PD, nëse vendimi do ishte institucional. Duhet ta pranojmë që PD identifikohet me Berishën. Më mirë se e di Basha këtë vendim nuk e dimë ne, por mënyra se si e ka marrë dhe mënyra se si përcillet ky vendim është shumë më i rëndë nëse do futej në votim. Ne e kemi pranuar se SHBA janë aleati strategjik i yni, dhe çdo këshillim me ta është i domosdoshëm. Por në fund të fundit një parti funksion me strukturat drejtuese të saj, dhe anëtarësia ka një rol shumë të madh. Nëse do ishte vendimi i të gjithë anëtarësisë do ishte një situatë krejt tjetër.
Ai thotë se kishte ardhur momenti që nuk mund t’i mbaje punët mirë me të gjithë.
Ekrem Spahiu: Erdhi një moment që nuk mund ta mbash mirë me të gjithë, edhe me SHBA, me Berishën, me Ramën dhe me opozitën. Nuk duhet të pezmatohemi shumë, këto janë procese demokratike.
