Çanta për fëmijët e tërmetit, vullnetarët dhurata në prag të vitit shkollor në tre shkolla
Çanta dhe mjete shkollore ka qenë këtë herë ndihmë që vullnetarët kanë dhënë për fëmijët e tre shkollave të prekura nga tërmeti. Aktivistët bën apel për të mos i lënë këtë fëmijë në harresë.
Pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, grupi i vullnetarëve me në krye aktivistin Aulon Kalaja organizuan një fushatë për të dhuruar çanta shkolle për familjet e prekura nga tërmeti në tre shkolla në Fushë Krujë, në Bubq dhe Mamuras. Vullnetarët dhuruan çanta dhe mjete shkollore.
"Falenderoj të gjithë ata që kontribuan për këtë kauzë. Ne kemi zgjedhur disa shkolla domethënëse për të bërë këtë shpërndarje. Është momenti për të kthyer sytë për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti dhe familjet e prekura nga tërmeti të cilat sot po futen në dimrin e tretë, një pjesë e tyre jetojnë në çadër, një pjesë e tyre jetojnë në kontejner, një pjesë e tytre nuk kanë para për të blerë mjetet dhe sendet shkollore të cilat fëmijët ua kërkojnë" apeloi aktivisti Aulon Kalaja.
Nuk është hera e parë që aktivistët ndihmojnë familjet e dëmtuara nga tërmeti.
Në këtë nismë janë përfshirë me donacione qytetarë të ndryshëm.
Më parë janë hapur mensa, janë shpërndarë veshje dhe janë hapur qendra ditore për fëmijët.

