Ekstradohet nga Gjermania i akuzuari si bashkëpunëtor i atentatit tek "Uji i Ftohtë" Vlorë

Ekstradohet nga Gjermania drejt Shqipërisë një nga të akuzuarit si bashkëpunëtorë të sulmit me armë ndaj Ines Hajrulla dhe miqve të tij në një lokal Vlorë, i ndodhur në 10 Maj 2019.

Dosja penale ka dhjetë të pandehur por për shkak se 4 prej tyre si Xheladin Merkaj, Ardjan Ahmeti, Dejvison Serjani dhe Nensi Shaqiri, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndjekja gjyqësore e tyre është veçuar nga 6 të pandehurit e tjerë, që akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë duke bërë që gjykata e Vlorës të dalë me një vendim përfundimtar të dënimit të 4 personave.

Nga Gjermania është ekstraduar Serxhio Cima 25 vjeç

"Më datë 10.05.2019, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, nga një automjet në lëvizje është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grupi personash që ishin ulur në një nga tavolinat e vendosura në pjesën e jashtme të një lokali në këtë lagje. Më pas, autorët janë larguar dhe kanë djegur automjetin në fshatin Babicë e Vogël.

 Nga hetimet e kryera dhe nga bisedat telefonike ka rezultuar se një nga bashkëpunëtorët e grupit të përfshirë në këtë ngjarje ka qenë S. C."

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të vendimit të datës 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Vlorë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe "Armëmbajtja pa leje”.

Gjyqi

Për 6 personat Fatmir Hyseni alias “Doqja”, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dautaj, Serxhio Cima dhe Albano Goxhaj, procesi gjyqësor është duke vijuar në gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë. Të gjithë këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dashur të vrasin, Inez Hajrulla dhe disa persona të tjerë, që ndodheshin në një lokal që ndodhet në kompleksion “Oslo” në Vlorë. Hetimet kanë provuar se organizator i këtij sulmi me dy kallashnikovë është Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit ose “Çipurit” në Vlorë.