Muça tregon shkaqet e stresit në shoqëri: Më shumë e vuajnë shtresat në nevojë. Pandemia solli pasoja të rënda
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, psikologia Arjana Muça, shprehet se shoqëria po përjeton stres për shkak të problemeve social-ekonomike.
Ajo thotë se për shkak të pandemisë, pupunësia u rrit, ndërkohë që të ardhurat për familje janë të pakta, e si pasojë kanë sjellë edhe rritjen e stresit në familje.
“Shoqëria po përjeton stres për shkak të problemeve sociale-ekonomike , që ne përjetojmë gjatë gjithë kohës. Të ardhurat janë elementi kryesor për mirëqenien e një familje. Për shkak të pandemisë kemi rritje të papunësisë, të ardhura më të pakta për familje. Këto janë elementët e stresit që shoqërojnë jo vetëm familjet shqiptare, por edhe nëpër botë."
Sipas saj, stresi më i lartë është tek familjet në nevojë pasi nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat minimale të jetesës.
“Për shëndetin mendor flitet shumë pak. Për aq kohë sa ne nuk kemi nevojat e para që duhet të plotësojmë siç është ajo që ne quajmë nevoja për ushqim. Që këtu fillon stresi. Një tjetër element stresues është pasiguria për të ardhmen. Janë probleme që rrisin, probleme të shëndetit mendor. Shtresat në nevojë e ndjejnë më shumë, pasi përplasen me vështirësi, për shkak të mospasjes së të ardhurave të mjaftueshme, për të plotësuar kërkesat minimale të jetesës.
Nevoja për të pasur ndihmë nga profesionist të fushës, kjo është për secilin prej nesh, pasi çdo kush mund të gjendet në vështirësi. Informimi i publikut nuk është në masën e duhur që shoqëria të dijë ku ta kërkojë këtë ndihmë.
Është shumë e lehtë të flasësh për shëndetin mendor, por shumë e vështirë nëse ne nuk kemi informacionin duhur për ta marrë këtë shërbim."/ Ora News/

