Kërkojnë dëmshpërblim, banorët e Porto Romanos u përmbytën në 2018, miliona lekë dëme
Banorët e Porto Romanos në Durrës u përmbytën në prillin e 2018-s, ndërsa që nga ajo kohë ata thonë se nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim nga bashkia e Durrësit. Ata apelojnë ndaj Bashkisë që të zbatojë ligjin pasi është bërë tanimë përllogaritja e dëmeve që u kanë shkaktuar përmbytjet.
Në prill të 2018-s lagjja "Porto Romano" në Durrës u përmbyt nga shirat e mëdha që ranë asokohe.
Banorët e prekur nga kjo përmbytje thonë se nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim për dëmet e shumta që u janë shkaktuar atyre në shtëpi.
Zjarr i madh në Fier, flakët rrezikojnë djegien e shtëpive
23 Shtator, 14:54
"Jemi përmbytur në prill 2018 dhe bashkia e Durrësit nuk na ka dhënë dëmshpërblim. I jemi drejtuar Avokatit të Popullit disa herë dhe Avokati i Popullit na ka mbështetur".
Ata tregojnë se dëmet janë përllogaritur, ndërsa Bashkia e Durrësit nuk ka marrë asnjë veprim konkret.
"Bashkia nuk i ka vënë duart në zjarr për këtë punë."
Madje ata pretendojnë se ka edhe pagesa të kaluara në mënyrë selektive.
"Kemi qenë numër i madh i familjeve të përmbytura por mesa duket një pjesë i kanë marrë paratë përderisa nuk i kërkojnë. Kjo mund të jetë bërë vetëm për motive politike, zona ku ka mbetur pa u dëmshpërblyer njihet si lagje demokratësh dhe mbështesin të djathtën".
Banorët e "Porto Romanos" kanë protestuar disa herë në lidhje me këtë shqetësim, ndërsa institucionet nuk kanë gjetur ende një zgjidhje për kalimin e dëmshpërblimit tek ta.

