Alibeaj publikon debatet brenda PS-në e Shkodrës: Rama bleu votat për pushtetin e miqve të tij

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka publikuar debatet e mbledhjes së djeshme të PS-së në Shkodër, ku socialistët flasin për emërimet e drejtorëve në këtë qark.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, në biseda vihet re se anëtarët e PS-së në Shkodër ankohen te Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri se vendet e punës po ua marrin aleatët, ndërsa socialistët janë ende pa punë.

Ndërkohë ky i fundit u përgjigjet se nuk do të ketë më emërime drejtorësh për ata që nuk kanë dhënë kontributin e tyre.

Sakaq ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore në bashkëpunim me krimin, nuk i përket qytetarëve.

Për Partinë Demokratike, ndarja e politikës nga krimi është një prioritet kombëtar.

Prej kohësh, me fakte dhe prova, kemi paralajmëruar se si modeli i ndërtuar nga Edi Rama po përhapet si një tumor në indet e partisë që ai sundon dhe metastazat shtrihen në gjithë aparatin shtetëror.

Debatet e publikuara në media nga mbledhja e PS-së së Shkodrës, konfirmojnë se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore në bashkëpunim me krimin, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale.”

Sipas tij, këto rrëfime janë prova më e qartë se si partneriteti i pakicës plaçkitëse Rama, Doshi, Rakipi, funksionin si një PPP korruptive dhe kriminale, në kurriz të familjeve shqiptare.

“Këto rrëfime janë prova më e qartë se si partneriteti i pakicës plaçkitëse Rama, Doshi, Rakipi, funksionin si një PPP korruptive dhe kriminale, në kurriz të familjeve shqiptare.

Pak ditë më parë ata bashkuan mandatet e vjedhura për të konfirmuar ortakërinë e tyre parlamentare, jo për të zgjidhur çështjen e papunësisë, gjendjen e rëndë ekonomike apo korrupsionin që cënon të ardhmen e Shqipërisë, por për të nginjur babëzinë e tyre në dëm të qytetarëve.

Përballja me këtë model është detyrë imperative për Partinë Demokratike dhe për shoqërinë shqiptare, sepse ç’kapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni janë e vetmja mënyrë për t’u dhënë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë.”- shkruan më tej Alibeaj.