Zjarrfikësit e Vlorës pa mjetet e duhura për t'u përballur me zjarret
Zjarrfikësit e Vlorës nuk kanë veshje, kundra-gaz, pajisje komunikuese dhe mjete për shuarjen e flakëve. Institucionet nuk kanë plane të qartë për t'i bërë ballë flakëve.
Prefekti i qarkut, Flamur Manaj e bëri këtë prezantim gjatë bilancit për situatën e zjarreve që shkaktuan dëme të konsiderueshme në sezonin e verës.
"Në situata të tilla nuk bëhet informimi i publikut dhe komunitetit të rrezikuar nga zjarri, nuk është bërë nga asnjë bashki trajnimi në fushën e mbrojtjes civile i strukturave vullnetare të punonjësve dhe banorëve. Mungon sistemi i monitorimit dhe paralajmërimit të hershëm. Kundra-gaz, helmetë, mjete dhe pajisje të domosdoshme si gërshërë metalprerëse, motosharra, sëpata, lopata, pompa shpine dhe gjithçka tjetër që i nevojitet për të përballuar zjarrin, por mbi të gjitha ajo që është e pafalshme është se asnjë nga zjarrfikëset e qarkut nuk kanë mjete të ndërlidhjes bashkëkohore të radio-komunikimit," u shpreh Manaj.
4803 hektarë tokë në të gjithë qarkun janë shkrumbuar gjatë këtij viti. Drejtori i përgjithshëm i emergjencave civile Haki Çako akuzoi bashkitë se nuk kanë përdorur 4% të buxhetit që duhet të shkojë për zjarrfikëset.
"Na duhet të themi që jemi ende të pa përgatitur sa dhe si duhet për të përballuar me sukses që në momentet e para përhapjen e vatrave të zjarrit," tha Çako.
Analiza ka nxjerrë në pah faktin se institucionet e kanë të pamundur menaxhimin e situatës së zjarreve në territoret kodrinore dhe malore për shkak të mungesës së mjeteve të ndërhyrjes./OraNews/
