Sherr për parkimin në QSUT, qytetarët shkojnë me të sëmurë, konfliktohen për mjetet
Ky konflikt ndodhi mes qytetarëve për shkak të mungesës së vend-parkimeve në oborrin e QSUT dhe bllokimit të trafikut të automjeteve aty.
Lejimi i hyrjes së një numri mjetesh më të madh se kapacitetet e parkimit është kthyer në një situatë të zakonshme në QSUT.
Mes mjeteve që mbeten të bllokuara janë edhe autoambulancat që shpesh transportojnë pacientë që luftojnë për jetën.

Dritan Xhemali, menaxher projekti në QSUT pranon problematikën por thotë se zgjidhja nis nga disiplinimi i shoferëve.
"T'u bëj thirrje qytetarëve që të mos hyjnë kur nuk e kanë shumë të nevojshme në QSUT sepse shkaktojnë kaos dhe pengojnë autoambulancat duke ndikuar në trafikun e rënduar."
Sipas menaxherit, vënia e një operatori tek trau për shmangien e automjeteve që vijnë për vizita nuk i ka dhënë zgjidhje situatës.
"Jemi përpjekur por ne nuk mund t'i ndalojmë ata të hynë. Ne i sqarojmë që vende parkimi nuk ka dhe trafiku është i rënduar por nuk mund t'i ndalojmë sepse thonë jemi me të sëmurë brenda dhe duan t'i çojnë. Është e pamundur t'i ndalojmë."
Qendra spitalore “Nënë Tereza” ka 1200 vend-parkime , por aktive janë vetëm 900 vende pasi një pjesë të hapësirës së mëparshme e kanë zënë spitalet Covid 1 dhe Covid 3 me kufizimet që kanë vendosur në oborre për ruajtjen e distancës.
/OraNews/
