Vettingu/ ONM pro zgjatjes së mandatit të KPK: Është domosdoshmëri për të përfunduar procesin!

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e përshëndet nismën e mazhorancës për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që t’i zgjatet mandatin kushtetues Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vijimin e procesit të Vettingut për gjykatësit dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë.

ONM në një deklaratë për mediet, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Prezencës së Bashkimit Europian në Tiranë, nënvizon domosdoshmërinë e shtrirjes së afateve kohore të KPK-së dhe Institucionit të Komisionerëve Publikë.

Sa i përket afateve të sakta, ONM thotë se këtë duhet të bëjnë vetë autoritetet shqiptare, në konsultim me Komisionin e Venecias.

“Në përputhje me mandatin e monitorimit që i është dhënë ONM-së nga Kushtetuta e Shqipërisë, ONM konsideron se është me rëndësi parësore që të përfundojnë të gjitha rastet e verifikimit në pritje në periudhën më të shkurtër të mundshme kohore, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme një zgjatje e kufizuar në kohë e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publikë. Kjo do t’i lejojë dy organet të përfundojnë të gjitha rastet në të cilat ka filluar hetimi. Është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një shtrirjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me aktorët përkatës, përfshirë Komisionin e Venecias”, thuhet në reagimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në qershor të vitit të ardhshëm Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkalla e parë e vettingut, i skadon afati 5 vjeçar. Dhe gjatë këtyre 5 viteve ky institucion nuk i doli dot të bëjë shqyrtimin e 800 subjekteve. Për këtë arsye mazhoranca i ka bërë thirrje edhe opozitës që të bashkëpunojë për ndryshimet kushtetuese për shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vettingut dhe komisionerit publik.

Kjo pasi socialistët  nuk i kanë votat e mjaftueshme në Kuvend për të prekur Kushtetutën, dhe për këtë arsye është e nevojshme bashkëpunimi me opozitën./OraNews/ 

Vettingu/ ONM pro zgjatjes së mandatit të KPK: Është