Lewandowski merr Këpucën e Artë dhe jep një mesazh të rëndësishëm
Sulmuesi i Bayern Munich, Robert Lewandowski mori çmimin European Sports Media për golashënuesin më të mirë në të gjitha ligat evropiane, ose më saktë Këpucën e Artë.
Lojtari mori në dorëzim çmimin e trofeut që e fitoi për sezonin e kaluar dhe si gjithmonë, ajo jepet në sezonin pasardhës.
Sulmuesi polak shënoi gjithsej 41 gola sezonin e kaluar në Bundesliga, një shifër që e ndihmoi të thyejë rekordin e të madhit Gerd Müller që prej sezonit 71/72 me 40 gola dhe të shpallej fitues i këpucës së artë për herë të parë.
Futbollisti mori çmimin e merituar në muzeun e “Allianz Arena” dhe nuk mund ta fshehte krenarinë që ndjeu pasi kishte shtuar një tjetër titull në vitrinën e tij, shkruan Ora News.
“Jam shumë i lumtur për këtë nder të madh. Dua të falënderoj familjen time, shokët e skuadrës, stafin e trajnerëve dhe të gjithë ata që më ndihmuan te Bayerni. Pa mbështetjen tuaj, unë nuk do të kisha patur mundësi t'i fitoja këto tituj. Në sport, si në të gjithë jetën e përditshme, është thelbësore të vlerësoni veten, të mbështesni veten, gjithmonë ta trajtoni veten në mënyrë të drejtë dhe të përpiqeni të jeni shembull për të tjerët. Për këtë arsye, dua ta dedikoj këtë çmim për të gjithë njerëzit që janë pranë meje çdo ditë. Jam shumë i kënaqur me atë që kemi arritur së bashku si ekip. Faleminderit shumë, "përfundoi bomberi polak.
