Reciprociteti me Serbinë, ish-ministri i Bujqësisë ndërron targat në pikë-kalimin kufitar Merdarë

Ish-ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo është parë se ka ndërruar targat e veturës, në pikë-kalimin kufitar Merdarë.

Ky veprim vjen pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë në çështjet e targave.

Raportohet se, ish-ministri i Bujqësisë ka hyrë sot në Kosovë, përmes pikë-kalimit kufitar Merdarë.

Rikallo ka qenë  ministër nga radhët e komunitetit serb në kohën e Qeverisë Haradinaj.

Ai u shkarkua në shkurt të 2019, pas ishte njëri ndër kushtet e Partisë Socialdemokrate për votimin e Projektbuxhetit për vitin 2019.

Pesë ditë pas  skadimit të marrëveshjes, të hënën me (20 shtator) forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar reciprocitetin.

Makinat  me targa serbe do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët protestuan gjatë gjithë ditës së hënë duke kundërshtuar këtë vendim.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të martën (21 shtator) se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

"Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa", tha Vuçiq pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë, që u thirr për shkak të masës së reciprocitetit për targat, të vënë nga Qeveria e Kosovës.