Reciprociteti/ Vuçiç: Nesër diskutojmë për masat shtesë, thirrje të mbrohet jeta e serbëve

Pas vendosjes së reciprocitetit për targat serbe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shprehur se ai ka refuzuar të gjitha propozimet e supozuara si kompromise në lidhje me Kosovën.

Po ashtu, ai ka bërë me dije se nesër do të diskutojnë lidhur me masat shtesë pas vendosjes së reciprocitetit për targa nga ane e Prishtinës zyrtare.

Ai përmes një konferencë për media në Beograd tha se “durimi i Serbisë nuk është i pakufizuar, se gjithçka mund të bëhet me forcë, por që serbët nuk do të pajtohen me këto lëvizje."

"Nëse prona e serbëve nga veriu i Kosovës vazhdon të jetë e rrezikuar, ne do t'i bëjmë thirrje KFOR -it dhe NATO -s që të mbrojnë jetën dhe pronën e popullatës serbe," tha Vuçiç.

Vuçiç njoftoi se sesioni i Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet nesër, dhe se para kësaj ai do të takohet me vendet e QUINT-it "për të parë se çfarë duan prej tij".

"Ne duam kompromise, por gjëja më e rëndësishme është që marrëveshjet të respektohen, që nuk ka standarde të dyfishta", tha Vuçiç.