Krasniqi: BE ka dështuar me Kosovën, çështja e targave mjerim, serbët të inkurajuar për trazira
Në një intervistë për RTV Ora, pedagogu Milazim Krasniqi u shpreh se procesi i Brukselit ka dështuar, pasi Kosovës i është kërkuar që të heqë dorë nga shumë gjëra.
Sipas tij, çështja me tabelat tregon mjerimin e BE-së për ndërmjetësim, pasi akoma flitet për tabelat e makinave, kur duhet të flitet për çështje shumë më të rëndësishme
Krasniqi: Procesi i Brukselit ka dështuar, pasi Kosovës i është kërkuar që të heqë dorë nga shumë gjëra. BE-ja nuk e ka njohur tamam Kosovën. Atje në vend që të merrem për zgjidhjen e konfliktit mes dy vendeve, që të ketë një njohje të detyrueshme, ata kanë ndjekur një mënyrë të gabuar në mënyrë hipokriti.
Kjo çështja me tabelat tregon mjerimin e BE-së për ndërmjetësim. Akoma flitet për tabelat e makinave, kur duhet të flitet për ndarjen e borxhit. Ka qenë një gabim i qeverisë së kaluar që e ka pranuar këtë çështje në mënyrë jo reciproke, kur vetura e Serbisë futeshin pa targa të Serbisë, por jo e njëjta gjë ndodhte me ato të Kosovës në Serbi.
Krasniqi shtoi se apatia e BE-së për ndërmjetësim ka bërë që serbët të inkurajohen për konflikte dhe kjo mund të paraqitet si një situatë me rrezik.
Krasniqi: Për mua është një mjerim që një qeveri e tërë të merret me çështje tabelash. BE-ja po aktron ndërmjetësin, por nuk ka asgjë thelbësore, sepse Serbia nuk ka respektuar asnjë marrëveshje, kjo gjë mund të paraqesë rrezik sepse serbët janë inkurajuar nga këto ngjarje dhe nga stimujt që kanë marr nga kancelarja Merkel. Ata tashmë parashikojnë edhe trazira e presione mbi Kosovën. Vuçiç ka paralajmëruar se do të bëjë hatanë nesër me masat që do marrë.
